Dy legjendat e kinemasë Al Pacino dhe Robert De Niro janë protagonistët e “Warmer Together” që flet për vlerat e markës ”Moncler”, duke theksuar se ngrohtësia e vërtetë nuk është vetëm mbrojtja nga i ftohti, por krijimi i marrëdhënieve të sinqerta mes njerëzve.
“Për dekada të tëra Moncler ka qenë sinonim i xhupave me push në dimrin e acartë, por unë gjithmonë kam besuar dhe kam dashur që marka të përfaqësojë diçka më të thellë se kaq’’, thekson Remo Ruffini, president dhe CEO i markës prestigjoze.
‘’Për më shumë se 70 vjet, emocionet dhe ngrohtësia e të qenit bashkë kanë udhëhequr çdo zgjedhje tonën, dhe si një fije, ato kanë bashkuar simbolikisht çdo produkt dhe çdo mesazh. “Warmer Together”, përmes historisë së miqësisë midis Al Pacino dhe Robert De Niro, është një mesazh i fuqishëm dashurie dhe afërsie, vlera që na bëjnë më të mirë”, shton ai.
E xhiruar në Nju Jork nga fotografi i njohur i portreteve Platon, fushata paraqet një seri portretesh bardh e zi dhe video të shkurtra prapa skenave, duke kapur mendimet e dy miqve mbi tema të tilla si miqësia, respekti, marrëdhëniet dhe besimi.
“Ngrohtësia nuk vjen kurrë nga jashtë; është një emocion që lind brenda nesh. Miqësia është gjëja më e madhe që mund të përjetosh. Miqtë janë njerëzit me të cilët ndan jetën tënde. Është diçka që vjen natyrshëm’’, thekson Robert De Niro.
‘’Është të ndash të njëjtin kuptim në jetë”, përfundon Al Pacino.
Fushatën e shoqëron zëri i artistit dhe ambasadorit të Moncler, Tobe Nwigwe, i cili, së bashku me gruan e tij Fat, ka krijuar një version të ri të klasikut të Bill Withers “Lean on Me”, një odë e përjetshme për miqësinë, solidaritetin dhe mbështetjen e ndërsjellë në kohë të vështira.





