Kompania “Paramount Global” njoftoi se do të “fikë prizën” për pesë kanale, “MTV”, “Music MTV 80s”, “MTV 90s”, “Club MTV” dhe “MTV Live”.
Fillimisht mbyllja do të nisë në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, për t’u shtrirë më pas në Francë, Gjermani, Austri, Poloni, Hungari, Australi dhe Brazil.
Vendimi lidhet me planet e uljes së kostove dhe ristrukturimit që po ndjek kompania në bashkimin me Skydance Media. Por më shumë sesa një çështje financiare, ky hap pasqyron ndryshimin e thellë në mënyrën se si njerëzit ndjekin muzikën ,nga ekranet televizive tek platformat dixhitale si YouTube, Spotify e TikTok.
Që nga themelimi në vitin 1981, “MTV” revolucionarizoi kulturën pop me videon e parë “Video Killed The Radio Star” nga “The Buggles” e deri tek momentet ikonike si “Thriller” i Michael Jackson, performancat “Unplugged”, dhe ndikimi i “Nirvana”- s që solli grunge-in në mainstream.
MTV nisi transmetimin në Evropë në 1987, duke u bërë dritarja kryesore e trendeve muzikore dhe të modës për breza të tërë.
Programet e saj formësuan identitetin e rinisë në vite, duke e kthyer muzikën në pjesë të pandashme të jetës së përditshme.
Por me përhapjen e internetit dhe shfaqjen e platformave “on demand”, televizioni muzikor humbi ndikimin e dikurshëm. Shikuesit zgjodhën përvoja më personale dhe interaktive, ndërsa kanalet lineare si “MTV” u bënë relike të një kohe tjetër
Megjithëse marka “MTV” do të mbetet aktive përmes platformave online dhe ngjarjeve të mëdha si “VMA“ – të dhe “EMA”- t, mbyllja e kanaleve televizive shënon fundin e një simboli që për 44 vjet i dha zë dhe imazh kulturës rinore në gjithë botën





