Shqipëria vlerësohet në raportin më të fundit të Bankës Botërore si një nga tre shembujt globalë që tregojnë se si teknologjitë e qeverisjes digjitale (GovTech) mund të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përballjen me ndryshimet klimatike.

Shqipëria, së bashku me Gjermaninë dhe Brazilin, evidentohet si shembull pozitiv në drejtim të ndërthurjes së agjendave digjitale me ato klimatike. Sipas Bankës Botërore, këto vende po projektojnë zgjidhje digjitale që synojnë: Reduktimin e emetimeve të karbonit,
uljen e mbetjeve digjitale, rritjen e qëndrueshmërisë së shërbimeve publike ndaj ndryshimeve klimatike.

Raporti i BB citon se, “Shqipëria ka investuar shumë në dixhitalizim, me portalin e-Albania që ofron mbi 1,200 shërbime online. Me vrullin e procesit të anëtarësimit në BE, qeveria po zgjeron proceset pa letër dhe po riprojekton shërbimet për t’iu përgjigjur fatkeqësive që lidhen me klimën. Hapi tjetër është forcimi i monitorimit dhe mbledhjes së të dhënave për të përcaktuar sasinë e përfitimeve mjedisore”.

Ky vlerësim vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për modernizimin e administratës publike dhe ndërtimin e një infrastrukture digjitale efikase, të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin.

Zbatimi i qasjeve të tilla jo vetëm që përmirëson cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, por gjithashtu përforcon rolin e Shqipërisë në përpjekjet globale për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme.

Sipas raportit, teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) përbën rreth 2–4% të emetimeve globale të gazrave serrë një shifër që pritet të rritet për shkak të zgjerimit të përdorimit të inteligjencës artificiale dhe shërbimeve digjitale. Në këtë kontekst, bëhet gjithnjë e më e rëndësishme që politikat e digjitalizimit të jenë miqësore me mjedisin.