Studiuesi Stefan Çapaliku përmes një komunikimi publik ka njoftuar se revista “Studime për artin” tashmë është indeksuar në CEEOL. Indeksimi në CEEOL do t’i sjellë një dukshmëri më të madhe revistës dhe veprimtarive kërkimore të Qendrës së Studimit të Arteve.
“Studime për artin”, që sivjet feston 30-vjetorin e botimit, është organi shkencor i Qendrës së Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe njëherazi periodiku më i rëndësishëm shkencor kushtuar çështjeve që kanë të bëjnë me teorinë, praktikën dhe historinë e artit në Shqipëri.
Ndërsa CEEOL është një ndër burimet kryesore të literaturës shkencore nga dhe mbi Evropën Qendrore, Lindore e Juglindore në lëmin e shkencave humane dhe sociale. Databaza e CEEOL numëron mijëra tituj, ku përfshihen, krahas revistave elektronike, edhe librat elektronikë si dhe dokumente të të ashtuquajturës “literaturë gri”.