Shqipëria dhe Mali i Zi po përshpejtojnë ritmin e integrimit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Një tregues i këtij avancimi është pjesëmarrja e tyre në Rrjetin Kryesor Trans-Evropian të Transportit (TEN-T). Ky proces integrimi sjell mundësi të rëndësishme, por edhe sfida të konsiderueshme, ku modernizimi i infrastrukturës hekurudhore dhe përmbushja e standardeve evropiane janë kërkesa kyçe për të dyja vendet, për të kontribuar në lidhshmërinë e transportit evropian.

Për të mbështetur këtë transformim, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), së bashku me partnerët nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Italia, prezantoi në Tiranë iniciativën “Connected for Cohesion” (Co4Co). E bashkëfinancuar nga programi Interreg IPA South Adriatic 2021–2027, Co4Co synon të forcojë lidhshmërinë hekurudhore, kapacitetin institucional dhe koordinimin rajonal në Adriatikun e Jugut — duke krijuar bazën për integrimin e plotë të Shqipërisë dhe Malit të Zi në BE deri në vitin 2030.

I organizuar si një prej eventeve të lidhura me Tirana Connectivity Forum 2025, aktiviteti solli së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga qeveritë kombëtare, institucionet e BE-së dhe agjencitë rajonale të infrastrukturës, për të diskutuar reformat hekurudhore, gatishmërinë për financime evropiane dhe bashkëpunimin ndërkufitar.

Ardian Hackaj, koordinator i Tirana Connectivity Forum, në fjalën e tij të hapjes theksoi se “përmes këtij projekti synojmë të kontribuojmë në përgatitjen e sektorit hekurudhor për vitin 2030. Ne duam të ndërtojmë një rajon më të lidhur dhe me zë më të fuqishëm në vendimmarrjen e BE-së. Së bashku me Malin e Zi, Shqipërinë, Puljen dhe Molizen, synojmë që prioritetet tona të dëgjohen në Bruksel dhe të përfshihen në politikat e ardhshme të kohezionit, konkurrueshmërisë dhe zgjerimit — veçanërisht në këtë moment kyç, kur po përgatitet Korniza e Re Shumëvjeçare Financiare”.

Pavle Karanikić, shef i përkohshëm i Zyrës së Ambasadës së Malit të Zi në Shqipëri, riafirmoi angazhimin e qeverisë së tij për lidhshmërinë rajonale dhe u bëri thirrje institucioneve zbatuese të njohin rolin kyç të Co4Co në krijimin e një rajoni më të gjelbër, më të lidhur dhe më gjithëpërfshirës.

Në fjalën e saj, Eridana Çano, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës, theksoi rolin praktik të Co4Co si mjet në shërbim të politikëbërësve. Ajo vuri në dukje se projekti do të fuqizojë institucionet shqiptare, kompanitë kombëtare hekurudhore dhe politikëbërësit për të aksesuar instrumentet e BE-së me më shumë besim dhe kompetencë. “Ky projekt do të krijojë bazën për investime më të mëdha dhe do të sigurojë që projektet nën kornizën TEN-T të zbatohen sipas standardeve më të larta”, shtoi ajo.

I zbatuar në sajë të partneritetit mes pesë institucioneve — CDI (Partneri Drejtues), Hekurudhat Shqiptare, Infrastruktura Hekurudhore e Malit të Zi dhe rajonet italiane Puglia dhe Molise — Co4Co do të zgjasë deri në shtator 2027. Partnerët e shohin iniciativën si një platformë dinamike për përforcimin e gatishmërisë institucionale dhe përshpejtimin e modernizimit hekurudhor. Kompanitë hekurudhore do të mësojnë të përdorin instrumentet e BE-së; autoritetet rajonale do të testojnë modele të reja bashkëpunimi, ndërsa shoqëria civile pritet të kontribuojnë me kërkime, prodhim të të dhënave dhe advokim.

Gilles Kittel, drejtues ekipi për Instrumentin e Parapërgatitjes, Negociatat e Zgjerimit dhe EUSAIR në DG Regio të Komisionit Evropian, vuri në dukje se iniciativa Co4Co shfrytëzon përvojën italiane dhe nxit bashkëpunim të barabartë midis shteteve anëtare dhe vendeve kandidate. Ai shtoi se projekti kontribuon në Masterplanin e EUSAIR për Transportin, duke plotësuar kështu një boshllëk lidhshmërie dhe duke krijuar sinergji midis qëndrueshmërisë, konkurrueshmërisë, qeverisjes dhe bashkëpunimit rajonal.

Dejan Lasica nga Komuniteti i Transportit theksoi se Co4Co është në përputhje të ngushtë me dy shtyllat kryesore të Planit të Punës për Hekurudhat: modernizimin e linjave hekurudhore dhe forcimin e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së.

Në fjalën e saj përmbyllëse, Zana Josa, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të pasur si prioritet lidhshmërinë hekurudhore dhe transportin, duke i konsideruar si mjete strategjike për integrimin evropian deri në vitin 2030. Ajo theksoi gjithashtu rolin kyç të iniciativës në transferimin e njohurive dhe ekspertizës nga Italia, që sjell përvojë të vlefshme në përdorimin e instrumenteve të ndryshme të financimit të BE-së.