Një studim i ri i institutit gjerman të ekonomisë “IW” ka nxjerrë në pah se Shtetet e Bashkuara të Amerikës varen më shumë nga importet e Bashkimit Evropian sesa mendohej më parë, ndërsa blloku e ka tejkaluar Kinën si në vlerën totale të mallrave ashtu edhe në numrin e produkteve të importuara, sipas “Reuters”.
Sipas studimit, kjo varësi është rritur ndjeshëm gjatë 15 viteve të fundit.
Në vitin 2010, SHBA –ja importonte më shumë se gjysmën e produkteve në rreth 2 600 grupe mallrash nga BE-ja, ndërsa vitin e kaluar ky numër ka arritur mbi 3 100.
Vlera e këtyre importeve, që përfshijnë produkte kimike, makineri, pajisje elektrike dhe teknologji të ndryshme, ka shkuar në 287 miliardë dollarë, pothuajse 2.5 herë më shumë se në vitin 2010.
Në krahasim, Kina vitin e kaluar, përbënte 2 925 grupe produktesh me një vlerë të përgjithshme prej 247 miliardë dollarës. Kjo tregon se varësia amerikane nga Kina është ulur ndjeshëm, pjesë e një procesi të qartë të “zvogëlimit të rrezikut” që ka synuar Uashingtoni në vitet e fundit.
Autorët e studimit theksojnë se produktet evropiane, sidomos ato me pjesë të lartë e të qëndrueshme në tregun amerikan, janë shumë të vështira për t’u zëvendësuar në afat të shkurtër.
Ky realitet, sipas “IW”, duhet të shërbejë si një pikë force për Brukselin nëse tensionet tregtare me SHBA-në do të rriteshin.
Raporti kujton se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mund të kishte pasur një pozitë negociuese më të fortë gjatë bisedimeve për tarifat me Uashingtonin, të cilat përfunduan me një normë bazë prej 15% për shumicën e mallrave të BE-së.
Studimi paralajmëron gjithashtu se, në rastin më ekstrem, BE-ja mund të përdorë si mjet presioni kufizimin e eksporteve për mallra që janë kritike për ekonominë amerikane. Një hap i tillë, sipas ekspertëve, do të kishte ndikim të menjëhershëm duke qenë se SHBA-ja vështirë se do të gjente alternativa të shpejta për furnizime të tilla.
“Edhe pse statistikat tregtare nuk e pasqyrojnë plotësisht rëndësinë e këtyre produkteve për konsumatorët dhe bizneset amerikane, ky studim mund të shërbejë si paralajmërim i qartë: nëse Uashingtoni vazhdon të rrisë tarifat, do të dëmtojë vetveten”, tha bashkautorja e raportit, Samina Sultan.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës mbeten të tensionuara, ndërsa BE-ja shihet gjithnjë e më shumë si partner i pazëvendësueshëm në zinxhirët globalë të furnizimit.