Ralph Lauren po përdor inteligjencën artificiale, duke shënuar një hap tjetër drejt inovacionit në modë me lançimin e “Ask Ralph AI”, sipas “Fashion United”.

Njëzet e pesë vjet pas debutimit të saj online – kompania ishte një nga markat e para luksoze të veshjeve – që u bë pioniere në tregtinë elektronike.

Marka amerikane tani po integron inteligjencën artificiale në përvojën e saj të blerjeve.

Shërbimi, i krijuar në bashkëpunim me Microsoft Azure OpenAI – do t’u ofrojë klientëve këshilla të personalizuara – duke sugjeruar veshje që mund të blihen direkt në aplikacionin e markës.

Aplikacioni i ri “Ask Ralph” nuk u përgjigjet vetëm pyetjeve për stilin – falë aftësisë së tij për të mësuar nga arkivi i markës dhe filozofia e stilistit, ai është në gjendje të sugjerojë veshje që mund të blihen menjëherë si për linjat e meshkujve ashtu edhe për ato të grave.

Përdoruesit mund të bashkëveprojnë me IA-në përmes komandave të thjeshta, nga pyetje të përgjithshme (“Çfarë duhet të vesh në një koncert?”) deri te pyetje më specifike se si të stilojnë rrobat e tyre.

Teknologjia është projektuar për të qëndruar e fokusuar te produkti, duke shmangur devijimet në pyetje jashtë teme dhe duke ruajtur një qasje të pastër dhe funksionale tregtare.

“Ask Ralph” u lançua më 10 shtator për përdoruesit e aplikacionit “Ralph Lauren” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.