Banka Botërore në një artikull të publikuar në faqen e saj zyrtare vlerëson se, investimet dhe projektet e ndryshme kanë sjellë nxitjen e turizmit, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillim ekonomik, teksa ky realitet i ri po tërheq ish-banorët të kthehen në vendlindjet e tyre dhe po nxit mundësi të reja biznesi dhe zhvillimi.

Sot, gjithçka ka ndryshuar, pasi bashkitë kanë ndërmarrë hapa për të vlerësuar historinë e pasur dhe bukuritë natyrore të zonës, qytete të shpallura Trashëgimi Botërore nga UNESCO, kala antike, arkitekturë osmane, bregdet piktoresk dhe shumë të tjera. Nëpërmjet Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe të Turizmit (PIUTD), Qeveria Shqiptare në bashkëpunim me Bankën Botërore, kanë ndihmuar në restaurimin e zonave historike, përmirësimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e shërbimeve turistike, duke sjellë mundësi të reja ekonomike dhe vende të reja pune në qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe zonave përreth.

Sipas BB, PIUTD është përqëndruar në restaurimin e 12 zonave kryesore turistike, si Qafa e Pazarit, shëtitorja e Sarandës, kalatë e Beratit, Borshit, Gjirokastrës dhe Kaninës, duke i bërë ato më të aksesueshme. Janë përmirësuar pothuajse 200,000 m² hapësira publike, përfshirë rikonstruksionin e rrugëve me kalldrëm, asfaltimin e rrugëve, rehabilitimin e shesheve dhe vendosjen e tabelave orientuese, trotuareve, ndriçimit, shtigjeve të reja, stolave, rampave dhe pikave të informacionit për vizitorët.