Drejtoria e Rrugëve Rurale pranë Bashkisë Kukës vijon me investimet e planifikuara për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale, me fokus përmirësimin e kushteve të lëvizjes për banorët dhe automjetet.
Aktualisht, janë ndërmarrë ndërhyrje në disa zona të Njësisë Administrative Shishtavec.
Sipas njoftimit të Bashkisë Kukës, në fshatin Shtrezë është realizuar zgjerimi i rrugës, një investim i domosdoshëm që ka përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e përditshëm, duke garantuar më shumë siguri, shpejtësi dhe lehtësi në lëvizje për banorët.
Ndërsa në aksin rrugor Çernalevë–Oreshkë janë kryer punime sistemimi dhe riparimi, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në lehtësimin e ndërlidhjes ndërmjet tre fshatrave të zonës.
Këto investime janë pjesë e një strategjie afatgjatë të Bashkisë Kukës për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale, si dhe për rritjen e aksesit dhe cilësisë së jetës për komunitetin lokal.
Bashkia Kukës shpreh mirënjohje të veçantë për ekipet e punës në terren, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po realizojnë projekte që sjellin ndryshime të prekshme në jetën e përditshme të qytetarëve.