Eksportet e shalqirit dhe pjeprit rriten me 44% në gjysmën e parë të vitit 2025

0
3

Gjatë periudhës janar–qershor 2025, eksportet e shalqirit dhe pjeprit shqiptar shënuan një rritje prej 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 41 760 tonë produkte të eksportuara.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, “kjo rritje e ndjeshme reflekton fuqizimin e fermerëve vendas, përmirësimin e cilësisë së prodhimit dhe rritjen e besueshmërisë së tregjeve ndërkombëtare ndaj produkteve MadeInAlbania”.

Ministrja bëri të ditur se, bujqësia shqiptare, përtej rritjes së kërkesës së brendshme, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në sektorin e eksporteve, duke kontribuar në ekonominë kombëtare dhe në synimin për një bujqësi të qëndrueshme dhe konkurruese.

Denaj theksoi se, mbështetja për fermerët dhe investimet në teknologji moderne vijojnë të japin rezultate konkrete në rritjen e eksporteve bujqësore, teksa garantoi vazhdimësinë e politikave mbështetëse për këtë sektor.