Qarku i Shkodrës pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat, ku gërmimet shqiptaro–polake kanë zbuluar gjurmë të qytetit antik ilir të shek. IV p.e.s”.Gërmimet arkeologjike kanë nisur që në vitin 2018, nga misioni kërkimor shqiptaro-polak drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza. Ato po nxjerrin në dritë të tjera gjurmë dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat.
Gjatë këtyre fushatave kërkimore u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u kuptua shtrirja e tij. Ndërsa gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm dhe urbanistikës së këtij qyteti.
Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek. IV para Krishtit, sipas datimeve paraprake.