Bashkimi Evropian importoi gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia me vlerë rreth 4,48 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit 2025, nga 3,47 miliardë euro gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas agjencisë së statistikave të BE-së, “Eurostat”.
Në përgjithësi, BE-ja importoi LNG me vlerë afërsisht 26,9 miliardë euro gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2025.
Pjesa më e madhe – rreth 13,7 miliardë euro – erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në vitin 2024, SHBA-ja përbën gati 45% të importeve totale të LNG-së të BE-së, duke e bërë atë furnizuesen më të madhe të LNG-së të bllokut”, raportoi Komisioni Evropian.
Ndryshe nga nafta dhe qymyri rus, BE-ja deri më tani nuk ka vendosur sanksione ndaj gazit për shkak të varësive të vazhdueshme të disa shteteve anëtare.
Furnizimet me LNG, përfshirë përmes TurkStream, vazhdojnë të rrjedhin në bllok.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka hartuar plane për të ndaluar plotësisht importin e gazit rus në bllok nga viti 2028.
Importet, sipas marrëveshjeve të reja, do të ndalohen nga 1 janari 2026, sipas propozimit të krahut ekzekutiv të BE-së, ndërsa furnizimi sipas kontratave ekzistuese afatshkurtra do të anulohet nga 17 qershori 2026.
Importet e gazit të furnizuara sipas kontratave afatgjata do të ndalohen nga 1 janari 2028, sipas planeve, të cilat ende duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare