Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj informoi sot lidhur me situatën pas kundërpërgjigjes ndaj sulmit kibernetik. Në konferencën për mediet, me zv.kryeministren Belinda Balluku, dhe përfaqësuesin e skuadrës speciale të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin, Karçanaj theksoi se pas 14 ditësh nga sulmi kibernetik më në fund u bë e mundur që edhe administrata publike t’i rikthehet normalitetit.
“Unë jam sot këtu për t’ju thënë se pas 14 ditësh pune të pandërprerë, ekipi i AKSHI-t, i ekspertëve të kompanive lokale, i partnerëve tanë brenda dhe jashtë vendit, më në fund u bë e mundur që edhe administrata publike t’i rikthehet normalitetit dhe proceseve të punës hap pas hapi. Përgjigjja e AKSHI-t në këtë betejë kibernetike ka qenë në dy fronte kryesore: rikuperimi i të gjitha sistemeve dhe infrastrukturave kritike qeveritare dhe paralelisht dhe izolimi i aktivitetit keqdashës”, tha ajo.https://ata.gov.al/2022/07/29/karcanaj-98-e-sherbimeve-online-tashme-funksionale/