Lini, fshati piktoresk buzë liqenit të Ohrit, rreth 22 km larg Pogradecit është ndër më të preferuarit sidomos nga turistët e huaj.

Pas zbulimeve të fundit më të jashtëzakonshme arkeologjike, ku Lini konsiderohet si vendbanimi palafit më i hershëm i zbuluar ndonjëherë në Europë, ai po tërheq edhe më shumë turistë të huaj.Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, që të shfaqet menjëherë sapo zbret Qafëthanën në Pogradec ka një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës.

Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.

Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.