Talebanët janë rikthyer në pushtet më 15 gusht 2021 dhe prej atëherë kanë zbatuar rregulla drakonike, duke ua shkelur të gjitha të drejtat grave dhe vajzave afgane, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë.

Qeveria e udhëhequr nga talebanët ua ka ndaluar vajzave shkollimin pas klasës së gjashtë, derisa grave shumicën e vendeve të punës. Ato, as nuk mund të marrin pjesë në jetën politike.

Gratë duhet ta respektojnë edhe kodin e ashpër islamik sapo të dalin jashtë shtëpive të tyre.

Një raport i ri i Misionit të OKB-së për Ndihmë në Afganistan, është në linjë me paralajmërimet e Agjencisë së OKB-së për Gratë, duke thënë se ka dokumentuar raste të grave që janë ndaluar prej inspektorëve të Ministrisë për Përhapje të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, nën arsyetimet se i kanë shkelur rregullat e kodit të veshjes.

“Dekretet që i kanë miratuar talebanët i kufizojnë të drejtat e vajzave dhe grave dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një cikël, i cili i detyron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, sepse secilën herë bëhen më të cenueshme”, ka thënë Agjencia e OKB-së për Gratë.

Sipas OKB-së, mbi 78 për qind e grave afgane e kanë humbur qasjen në edukim, punësim dhe trajnim prej kthimit të talebanëve në pushtet.

Shembull, në qytetin e Heratit, agjencitë e OKB-së kanë vërejtur që dhjetëra gra që e kanë respektuar rregullin e hixhabit, nuk janë lejuar që të hyjnë nëpër dyqane apo ta përdorin transportin publik. Sipas raportit, disa gra janë ndaluar derisa familjarët e tyre u kanë blerë rroba për t’u mbuluar tërësisht.

Talebanët ua kanë ndaluar grave që të udhëtojnë pa një përcjellës burrë, vendim që ua ka pamundësuar qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera të domosdoshme.

Sipas trupave të OKB-së, policia e talebanëve për çështje morali i ka udhëzuar klinikat shëndetësore, zyrat qeveritare, dyqanet dhe shoferët e taksive që të mos kenë kontakt me gratë që nuk e kanë një përcjellës burrë.

Policia e Kandaharit u ka kërkuar grave që punojnë në sistemin shëndetësor që të jenë në shoqërinë e një familjari të gjinisë mashkullore dhe t’i posedojnë gjithmonë dokumentet që i vërtetojnë lidhjet e tyre familjare.

Secilën herë e më të zakonshme janë bërë edhe martesat mes të miturve, dhe sipas OKB-së, “gratë çdo herë e më shumë janë subjekte të dhunës, brenda dhe jashtë shtëpisë”.

Sipas organizatës, pengesat në qasjen në kujdes shëndetësor për gratë do ta rrisin për 50 për qind shkallën e vdekshmërisë së grave në Afganistan deri më 2026.

Në periudhën e fundit është raportuar për plot vdekje për shkak të komplikimeve gjatë shtatzënisë, të cilat janë të parandalueshme.

Mungesa e specialisteve pritet të vërehet edhe më shumë në të ardhmen e afërt, pasi talebanët ua kanë ndaluar grave shkuarjen në universitet dhe i kanë mbyllur shkollat private që kanë ofruar profilizime në infermieri dhe punë në laboratorë.

Agjencia e OKB-së për gratë ka paralajmëruar se rezultati i politikave shtypëse të talibanëve ndaj grave në Afganistan është “shkatërrues”.