Naim Frashëri.
Nuk qe rastësi që pasardhësi i një familjeje bejlerësh të Përmetit, u quajt sikurse poeti rilindas me prejardhje nga Frashërllijntë. Në skenën e Teatrit Kombëtar, do të ngjitej për të ekzekutuar rolet e para në vitin 1945. Më herët, ai qe angazhuar në teatrin partizan. Njëherazi, luftëtar dhe aktor, Naimi Frashëri spikati në rolet e tij për gjetjet aktoreske.
Valeri te “Tartufi”, Gjoni te “Trimi i mirë me shokë shumë”, gjenerali te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Leka te “Përkolgjinajt”, Nikolla te “Armiqtë”, Sasha Ribakov tek “Orët e Kremlinit”, Lubeni te “Procesi i Lajpcigut” dhe Hamleti te “Hamleti”, qenë disa prej roleve të tij më të duartrokitura. Jonuz Bruga te “Familja e Peshkatarit”, do të ishte roli i 80-të dhe i fundit, në karrierën e tij të ngjeshur.
Në zhanrin e filmit ka interpretuar në 8 prodhime kinematografike, mes të cilave roli tek “Skënderbeu” më 1953-n, si edhe tek filmi “Tana” më 1958-n. Për mjeshtërinë e tij, është nderuar me urdhrin e lartë “Hero i Punës Socialiste” dhe me titullin “Artist i Popullit”.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, më 29 prill 1959, iu akordua Çmimi i Republikës, i shkallës së dytë.