Në veri, aty ku malet prekin qiellin dhe retë mbështeten mbi kreshta, shtrihet qyteti i Bajram Currit, si një portë e artë që të çon drejt një bote tjetër.
Ka vende që nuk i lexon dot vetëm me sy; i ndien në lëkurë, i dëgjon me veshë, i shijon me zemër.
Bajram Curri është një prej tyre. Një qytet që fle në krahët e maleve, i rrethuar nga një natyrë që nuk të pyet nëse je gati, thjesht të merr me vete.
Rruga është një magji më vete, malet vijnë gjithnjë e më pranë, sikur duan të të përqafojnë, ndërsa qielli bëhet më i thellë.
Pikërisht këtu, mes freskisë që të çan mushkëritë, rrjedh Lumi i Valbonës, i kthjellët si një e vërtetë që nuk pranon asnjë gënjeshtër. I egër dhe i butë njëkohësisht, lumi sjell me vete këngën e heshtur të gurëve shekullorë aq sa të bën të ndihesh fajtor po nuk pive qoftë edhe një gllënjkë të vetme.
Kur ulesh buzë tij, bën mirë ta lësh zhurmën e ujit që rrjedh, të të fshijë gjithçka nga mendja e ngarkuar e kryeqytetit. Është një paqe që zor ta gjesh diku tjetër.
Këtyre anëve nuk ka vend për shpejtësi. Kohën ta mat lumi, malet, natyra.
Më tej, Lugina e Valbonës është si një faqe libri që hapet ngadalë e thërret udhëtarë nga e gjithë bota. Në çdo kthesë të rrugës, një panoramë e re të huton nga bukuria. Zona është e njohur për shtigjet e saj të hiking-ut, me itinerare që të çojnë drejt Qafës së Valbonës, Thethit apo fshatrave të vegjël të mbuluar me gjelbërim. Hiking-u këtu është një përvojë unike, pasi më shumë se sport, është një përvojë që të lidh me tokën, ajrin dhe tingujt e natyrës.
Në shtegun e Valbonës, ku ecin këmbët e udhëtarëve dhe rreh zemra e çdo aventurieri, shtigjet të çojnë drejt maleve dhe fshatrave të fshehtë. Këtu takon njerëz nga e gjithë bota, të tërhequr jo vetëm nga peizazhet e mahnitshme, por edhe nga ajo ndjenjë e pakrahasueshme e qetësisë dhe përkatësisë që e gjen vetëm në një vend ku koha ecën ndryshe.