Rregullat e reja të transparencës për modelet e inteligjencës artificiale  (IA) me përdorim të përgjithshëm, si ChatGPT dhe Gemini, hynë në fuqi në të gjithë Bashkimin Evropian, si pjesë e Aktit për Inteligjencën Artificiale të miratuar vitin e kaluar.

Sipas këtyre rregullave, zhvilluesit duhet të bëjnë publike se si funksionojnë modelet e tyre dhe çfarë të dhënash janë përdorur për trajnimin e tyre.

Modelet veçanërisht të avancuara, të cilat konsiderohen me rrezik të mundshëm për publikun, duhet gjithashtu të dokumentojnë masat e sigurisë.

Inteligjenca artificiale me përdorim të përgjithshëm i referohet sistemeve që mund të përdoren për një gamë të gjerë funksionesh, si gjenerimi i tekstit, analizimi i gjuhës apo programimi.

Qëllimi i ligjit është edhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të autorit. Zhvilluesit duhet të raportojnë burimet e të dhënave që kanë përdorur për trajnim dhe nëse kanë përdorur metoda automatike për të mbledhur të dhëna nga interneti.

Ata janë gjithashtu të detyruar të paraqesin masat e marra për të mbrojtur pronën intelektuale dhe të caktojnë pika kontakti për mbajtësit e të drejtave.

Megjithatë, disa shoqata që përfaqësojnë autorë, artistë dhe botues e kanë kritikuar ligjin duke thënë se nuk shkon mjaftueshëm larg.

Në një deklaratë të përbashkët, nisma gjermane “Initiative Urheberrecht”, një grup avokues për të drejtat e autorit, theksoi se rregullat janë të pafuqishme pa një kërkesë për të emëruar grupet specifike të të dhënave ose domenet.

Ndërsa individët mund të padisin ofruesit e AI sipas ligjit të ri, zbatimi nga Zyra Evropiane e AI-së do të nisë më vonë. Kjo zyrë do të mbikëqyrë modelet e reja nga gushti i vitit 2026 dhe modelet e lëshuara para datës 2 gusht 2025 duke filluar nga gushti i vitit 2027.

Shkeljet mund të rezultojnë në gjoba deri në 15 milionë euro (17,1 milionë dollarë) ose 3% të xhiros vjetore globale.

Për të lehtësuar përputhshmërinë, Komisioni Evropian ka publikuar gjithashtu udhëzime vullnetare dhe një kod sjelljeje.

Google, zhvilluesi i modelit Gemini, ka deklaruar se ka ndërmend ta nënshkruajë këtë kod, por ka paralajmëruar se rregullorja mund të pengojë inovacionin.