Korniza për Investime e BE-së për Ballkanin Perëndimor synon zhvillimin socio-ekonomik dhe të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit.
“Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit”, ka shkruar Bislimi në Facebook, si referencë për masat që pati vendosur blloku evropian ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023.
Përveç fondeve të bllokuara nga Korniza e Investimeve, Kosova ishte suspenduar edhe nga programi i fondeve në kuadër të IPA 2024 (Fondet e Para-Anëtarësimit), si dhe nga takimet e ekipeve të angazhuara në kundër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) – paktit të parë kontraktual ndërmjet Kosovës dhe bllokut evropian.
Kosovës kanë nisur t’i hiqen disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian në maj të këtij viti. Dëmet, sipas njohësve të këtyre çështjeve arrijnë në qindra miliona euro.
Sipas raportit të Institutit GAP, masat përgjatë dy viteve kanë prekur rreth 395 milionë euro mjete në kuadër të WBIF-së, dhe rreth 218 milionë euro në kuadër të programit IPA – program që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në.
Sipas raportit, sektori i mjedisit ka pësuar më së shumti nga masat ndëshkuese të BE-së për Kosovën, kur merret parasysh vlera e projekteve të pezulluara – rreth 350 milionë.
Kosova është mbështetur nga Korniza e Investimeve që nga viti 2009. Deri në vitin 2021, në Kosovë ishin mbështetur 30 projekte në vlerë prej 1.8 miliard eurosh. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrugëve, rehabilitimin e hekurudhave, sistemet e ngrohjes qendrore dhe përmirësimin e sistemit të ujërave të zeza.
Për vitet 2023-2030, në kuadër të këtij mekanizimi, në Kosovë janë paraparë edhe projekte të tjera, si: Autostrada e Paqes Prishtinë – Nish, rruga hekurudhore Beograd – Prishtinë, ngrohja diellore për Prishtinën, impianti për trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinën e të tjera