Në një njoftim të fundit, kompania Villeroy & Boch AG ka kërkuar tërheqjen urgjente të gotave për fëmijë nga disa koleksione të saj, për shkak të një rreziku sigurie që mund të shkaktojë lëndime.
Kjo thirrje prek disa produkte nga koleksionet “Hungry as a Bear”, “Happy as a Bear”, “Roar like a Lion” dhe “Walk like an Elephant”.
Sipas njoftimit të kompanisë, gotat mund të thyhen lehtësisht, edhe kur ushtrohet një presion i vogël, dhe ky problem mund të çojë në lëndime nga thyerja e qelqit. Shkaku i këtij rreziku lidhet me tensionin e lartë të krijuar në qelqin e papërpunuar gjatë procesit të prodhimit.
Numrat e artikujve të prekur përfshijnë: 14-8665-7458, 14-8664-7458, 14-8673-7458, dhe 14-8674-7458.
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, (ISHMT) bën të ditur se po monitoron me vëmendje shpërndarjen e këtyre produkteve dhe është angazhuar për të siguruar një tërheqje të shpejtë dhe të plotë të tyre nga qarkullimi.
Për konsumatorët që kanë blerë këto gota, autoritetet rekomandojnë që ato të mos përdoren më dhe të kthehen menjëherë në pikën e shitjes, ku do të ofrohet një rimbursim i plotë, edhe nëse nuk disponohet fatura e blerjes.