Sipas ministres Denaj, “përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”.

Garancia Sovrane me fond prej 3 miliardë lekësh, ose 30 milionë euro, është një instrument i cili do të vihet në shërbim të sektorit privat me qëllim lehtësimin e aksesit në financë për fermerët dhe Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Garancia Sovrane, e kombinuar me kredinë e butë të Bankës së Shqipërisë, ul normën e interesit në vetëm 2% dhe mbulon deri në 70% të kolateralit për kredi, deri në 25 milionë lekë për subjekt, duke krijuar lehtësi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që operojnë në prodhim bujqësor, agropërpunim, turizëm rural dhe akuakulturë.

Normat që parashikohen për këtë skemë do të jenë tejet të favorshme dhe me mbulim deri në 70% të principalit të kredisë, shuma e së cilës nuk do të kalojë 25 milionë lekë për secilin prej subjekteve aplikuese.