Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve është një program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me universitetet publike, për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm trajnimesh në mbështetje të zhvillimit profesional të mësuesve dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit në Shqipëri.
Ministrja Manastirliu u shpreh se synohet të trajnohen rreth 16 mijë mësues deri në fund të vitit.
“Për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit është një prioritet rritja e kapaciteteve të mësuesve tanë dhe edukimi në vazhdim i tyre. Mbetet një rëndësi parësore sa i përket cilësisë së arsimit pikërisht mbështetja afatgjatë e mësuesve përsa i përket trajnimeve dhe metodave efektive dhe inovatore të mësimdhënies, të cilat janë përfshirë nën ombrellën e një programi kombëtar të zhvillimit profesional me synimin për të trajnuar në këtë vit rreth 16 mijë mësues”, tha Manastirliu.
Duke folur për fazën e ardhshme të këtij programi, Manastirliu tha se “ne po punojmë dhe për programin e ardhshëm 2026–2028, një cikël i cili do të ofrojë jo vetëm module të reja të edukimit në vazhdim dhe do të ketë më shumë përputhshmëri edhe me kurrikulën me të cilën ne jemi duke punuar, por mbi të gjitha për t’iu pajisur ju me aftësitë e nevojshme që kërkon mësimdhënia moderne”.
Për këtë fazë të parë për 2025, Universiteti i Tiranës ka organizuar trajnime për 2,351 mësues, mes tyre dhe mësues të arsimit fillor me fokus përmirësimin e cilësisë së leximit në kuadër të përgatitjes për testimin ndërkombëtar PIRLS 2026.