Rrugët dhe kalaja e Beratit këtë sezon turistik gjallërojnë nga turistët vendas e të huaj, të cilët njihen nga afër me historinë e qytetit-muze.
Edhe pse këto ditë temperaturat kanë qenë të larta, fluksi i turistëve ndihet kudo në qytetin mbi 2500-vjeçar.
Për të lehtësuar lëvizjen e turistëve, bashkia e Beratit ka vendosur në dispozicion të tyre tre autobusë elektrikë, dy mjete ‘buggie’ dhe gjashtë stacione karikimi.
Këto mjete janë pjesë e logjistikës bashkiake, që mbështet lëvizjen e vizitorëve në itineraret turistike dhe urbane të qytetit
Ky është një projekt i bashkisë Berat, i mundësuar nga financimi i Bankës Botërore nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe hedh një hap të rëndësishëm drejt një qyteti më të gjelbër dhe më mikpritës për të gjithë.