Projektligji parashikon një hua shtesë nga BERZH me vlerë 76.9 milionë euro në mbështetje të digjitalizimit e shërbimeve në 61 bashki të vendit, për të ofruar më shumë transparencë dhe lehtësi për qytetarët dhe bizneset.

Ajo theksoi se, programi synon modernizimin dhe digjitalizimin e administratës publike në nivel vendor, duke lehtësuar ndërveprimin e qytetarëve dhe të bizneseve me bashkitë, si dhe uljen e burokracive dhe kohës së pritjes.

Ndërsa vuri në dukje se, në fokus është integrimi i shërbimeve vendore në e-Albania 2.0 që do të mundësojë akses të shpejtë e të sigurt për qytetarët dhe bizneset në një gamë të gjerë shërbimesh elektronike vendore, me të njëjtin standard e cilësi si shërbimet elektronike të administratës qendrore.

Bejleri tha se gjithashtu, do të ngrihet një sistem prokurimi elektronik modern me inteligjencë artificiale, që u përgjigjet nevojave të institucioneve dhe bizneseve në mënyrë më efektive, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes në proceset e prokurimit, kursimin e kohës dhe uljen e kostove financiare për përgatitjen dhe vlerësimin e dokumentacionit, si dhe garantimin e një gare të drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë në tender.

Sipas saj, integrimi i inteligjencës artificiale në sistemin elektronik të prokurimit publik do të rrisë transparencën dhe efikasitetin e procedurave të prokurimit, duke automatizuar proceset, duke i përshpejtuar e lehtësuar ato, si dhe duke minimizuar gabimet njerëzore.

“Maturimi i kësaj kredie do të jetë 18 vjet, duke përfshirë periudhën prej 5 vjetësh pa
pagesë principali”, bëri të ditur Bejleri.