Në një postim në platformën e tij “Truth Social” dje në mbrëmje, presidenti republikan i bëri thirrje ICE dhe agjencive të tjera të bënin gjithçka që ishte në fuqinë e tyre – për të zbatuar atë që ai e përshkroi si “Programi më i madh i Deportimit Masiv në Histori”.

Trump shënjestroi posaçërisht qytetet e udhëhequra nga demokratët, përfshirë Los Anxheles, Çicago dhe Nju York – duke i nxitur agjentët federalë të rrisnin përpjekjet e zbatimit.

Qasja e ashpër e presidentit ka shkaktuar protesta të gjera në disa qytete të SHBA-së.

Demonstratat në SHBA u intensifikuan kohët e fundit pasi Trump vendosi trupa të Gardës Kombëtare dhe marinsat në Los Anxheles – një veprim i kundërshtuar fort nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, një demokrat i shquar dhe kandidat i mundshëm presidencial i vitit 2028.

Deportimet masive ishin një premtim qendror gjatë fushatës zgjedhore të Trump, dhe që nga marrja e detyrës, administrata e tij ka organizuar bastisje të shoqëruara me njoftime për shtyp dhe përditësime të rregullta.

Rreth 11 milionë njerëz jetojnë aktualisht në SHBA pa dokumente të vlefshme. Shumë prej tyre punojnë në sektorë jetikë si ekonomia, bujqësia, ndërtimi, hoteleri.

Në këtë sfond, Trump kohët e fundit ka bërë një ndryshim të dukshëm.

Të enjten, ai sugjeroi se donte të përjashtonte industritë e bujqësisë dhe hotelerisë nga goditja e emigracionit.

“Fermerët tanë të shkëlqyer dhe njerëzit në biznesin e hotelerisë kanë deklaruar se politika jonë shumë agresive ndaj emigracionit po u heq punëtorë shumë të mirë dhe me kohë të gjatë, me këto vende pune që janë pothuajse të pamundura për t’u zëvendësuar”, shkroi Trump në “Truth Social”.