Ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në zonën e Trebinjës, bashkia Pogradec, do të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm për mbi 4500 banorë në 8 fshatra të kësaj zone.
Rreth 70 kilometra linear tubacion parashikohen të shtrihen në kuadër të këtij investimi, së bashku me ndërtimin e 8 depozitave të reja uji, të cilat do të sigurojnë shpërndarje të qëndrueshme dhe efikase në të gjithë territorin e përfshirë.
Zona përfituese përfshin fshatrat: Trebinjë, Dunicë, Gur i Bardhë, Kalivaç, Potkozhan, Malinë, Pelevan dhe Pleshisht, ku furnizimi me ujë ka qenë një sfidë prej vitesh për komunitetet lokale.
Përmes këtij investimi synohet jo vetëm rritja e cilësisë së jetesës për banorët, por edhe krijimi i kushteve më të mira për zhvillimin social e ekonomik të zonës.