Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të dhënat mbi ecurinë e sektorit të shërbimeve për tremujorin e parë të vitit 2025, duke përfshirë për herë të parë pesë aktivitete të reja ekonomike në statistikat afatshkurtra: programim dhe shpërndarje, pasuri të paluajtshme, aktivitete ligjore e kontabiliteti, sigurim dhe hetim, si dhe administrim zyrash dhe shërbime mbështetëse.
Të dhënat tregojnë një rritje të përgjithshme të shitjeve neto në volum në shumicën e sektorëve të shërbimeve krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Rritjen më të lartë e ka regjistruar sektori i administrimit të zyrave dhe shërbimeve mbështetëse me 14,3%, i ndjekur nga aktiviteti i bar-restoranteve me 11,9% dhe ai i transportit, magazinimit dhe postës me 11,6%.
Edhe sektori i pasurive të paluajtshme ka shënuar një rritje të konsiderueshme prej 11,3%, ndërsa hotelet kanë pasur një rritje prej 5,7%.
Aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit janë rritur me 4,9%, tregtia dhe riparimi i automjeteve me 3,8%, ndërsa arkitektura dhe inxhinieria me 1%.
Nga ana tjetër, informacioni dhe komunikacioni ka shënuar një rënie të lehtë prej 2,1% dhe agjencitë e udhëtimit një rënie më të ndjeshme prej 7,4%.
Në aspektin e punësimit, vërehet një tendencë pozitive në shumicën e aktiviteteve. Hotelet kanë shënuar rritjen më të madhe me 8,8%, të ndjekura nga sektori i pasurive të paluajtshme me 6,6% dhe agjencitë e udhëtimit me 3,9%.
Tregtia dhe riparimi i automjeteve është rritur me 3,4%, transporti me 2,4%, bar-restorantet me 2,6%, ndërsa aktivitetet ligjore, kontabiliteti, arkitektura dhe inxhinieria kanë shënuar rritje të lehta.
Sektori i informacionit dhe komunikacionit është rritur me 1,5%, ndërsa administrimi i zyrave me 1%. E vetmja rënie në punësim është regjistruar në sektorin e sigurimeve dhe hetimeve, me 1,3%.
Në lidhje me pagat, tremujori i parë i vitit ka reflektuar rritje të ndjeshme në disa sektorë. Hotelet dhe pasuritë e paluajtshme kryesojnë me një rritje të barabartë prej 26,2%.
Tregtia dhe riparimi i automjeteve ndjek me një rritje të konsiderueshme prej 22,1%, ndërsa transporti dhe magazinimi ka pasur një rritje prej 14,9%.
Pagat janë rritur gjithashtu në sektorin e agjencive të udhëtimit me 13,8% dhe në bar-restorante me 12,4%. Informacioni dhe komunikacioni ka shënuar një rritje prej 10,3%, aktivitetet ligjore dhe të kontabilitetit me 10,6%, ndërsa arkitektura dhe inxhinieria me 9,8%. Rritje më modeste janë regjistruar në administrimin e zyrave me 7,1% dhe në sektorin e sigurimeve dhe hetimeve me vetëm 2,5%.