Në tremujorin e parë të vitit 2025, prodhimi, shitjet dhe punësimi në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, si dhe në sektorin e energjisë në Shqipëri kanë pësuar ulje.

Ndërkohë, sektori i ndërtimit ka shënuar rritje të ndjeshme, duke krijuar më shumë vende pune dhe duke rritur pagat për punonjësit.

Në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese, shitjet ranë me 10,8%, prodhimi me 2,1%, dhe numri i punonjësve me 4,8%. Megjithatë, pagat janë rritur me 2,7%.

Në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe avullit, shitjet u ulën me 2%, prodhimi me 6,1%, dhe numri i punonjësve me 6,5%, ndërsa pagat janë rritur me 3,6%.

Në aktivitetin e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve, shitjet dhe prodhimi kanë rënë, respektivisht 0,9% dhe 1%. Ndërkohë numri i punonjësve është rritur me 0,4%, dhe pagat me 4,3%.

Ndërsa sektori i ndërtimit ka pasur rritje të fortë. Shitjet dhe prodhimi janë rritur rreth 7,5%, punësimi me 3,5%, dhe pagat me 16,8%.