Në platformën e-Albania janë realizuar 2604 aplikime për karta shëndeti për fëmijët, nga kryefamiljari për periudhën Janar-Maj 2025.
Sipas një postimi në faqen zyrtare të e-Albania në rrjetet sociale, vetëm në vitin 2024 janë realizuar 5 044 aplikime për karta shëndeti për fëmijët, falë sistemeve elektronike, për shërbime efikase dhe në ndihmë të pacientëve të vegjël.
Karta e Shëndetit është një nga projektet më të rëndësishme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, e cila u vu në zbatim duke filluar nga Janari i vitit 2015 dhe tashmë është realizuar me sukses duke zëvendësuar plotësisht librezat e vjetra shëndetësore.
Pajisja me Kartë Shëndeti online bëhet nëpërmjet e-Albanias në kushtet kur personi është i regjistruar pranë një mjeku familje dhe i pajisur me kod pacienti, i regjistruar në portalin e-Albania dhe i pajisur me Numrin Personal të Identifikimit sipas Gjendjes Civile (NID).
Aplikimi online bëhet në mënyrë personale nga personat e siguruar, ndërsa për fëmijët e moshës 0-18 vjeç aplikimi bëhet nga prindi kryefamiljar i regjistruar në portalin e-Albania. Procedura kryhet përmes shërbimit ”Aplikim për kartë shëndeti për fëmijën nga kryefamiljari”.