Në Tiranë u mbajt konferenca e VIII e mikrobiologjisë klinike, ku e pranishme ishte edhe Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT, Prof. Donjeta Bali.
Në fjalën e saj, Bali përshëndeti këtë konferencë si përfaqësuese e QSUT-së, ndërsa tha se kjo konferencë sjell në vëmendje një prej çështjeve më thelbësore të mjekësisë moderne, diagnozën mikrobiologjike dhe evolucionin e saj nga metodat tradicionale drejt teknologjive të avancuara të zbulimit të acideve nukleike.
“Në qendrat tona terciare universitare, ne përballemi çdo ditë me nevojën për të integruar dije të thellë shkencore me praktikën klinike. Në një kohë kur përballja me infeksionet rezistente, shpërthimet epidemike dhe nevoja për diagnozë të shpejtë e të saktë po bëhen gjithnjë e më kritike, zhvillimet në mikrobiologjinë klinike janë më shumë se kurrë thelbësore për mirëqenien e pacientëve tanë dhe për suksesin e sistemit shëndetësor në tërësi”, tha Bali.
Sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të QSUT-së, këto lloj ngjarjesh janë shembull i gjallë i bashkëpunimit të domosdoshëm midis laboratorit dhe klinikës, midis kërkuesit shkencor dhe mjekut praktikues.
“QSUT, mbetet i përkushtuar në mbështetjen e kërkimit shkencor, edukimit të brezave të rinj të profesionistëve shëndetësorë dhe në promovimin e inovacionit që përmirëson kujdesin ndaj pacientit”, vijoi ajo.
Bali tha se diskutimet dhe përvojat që do të ndahen gjatë konferencës do të kontribuojnë ndjeshëm jo vetëm në rritjen e kapaciteteve profesionale, por edhe në forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit brenda dhe jashtë vendit.