Bike on Bus, shërbim i ri që lidh Tiranën me natyrën përmes biçikletës

0
2

 Turizmi i aventurës po kthehet në një trend të ri me shumë interes për vizitorët vendas dhe të huaj që duan të eksplorojnë më tej bukuritë natyrore të Shqipërisë.

Nga rrugët urbane te shtigjet malore, Bike on Bus është një qasje tjetër për turizmin, që të nxit për të çuar aventurën një nivel tjetër.

Sot ajo që nisi si një nismë e mbështetur nga projekti TIP për të promovuar turizmin aktiv dhe lëvizjen e gjelbër, është tashmë një shërbim i ri që lidh Tiranën me natyrën përmes biçikletës.

Bike on Bus, i sugjeron vizitorëve të ngarkojnë biçikletën në autobus dhe të përshkojnë shtigjet e Shutrit në Shëngjergj që është një perlë malore, vetëm pak minuta nga qyteti, e përshtatur për sportin e çiklizmit malor.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ kanë mbështetur Bike on Bus, teksa vënë në dukje 4 arsye për të mos e humbur këtë eksplorim: transport i dedikuar për biçikleta – praktik dhe ekologjik; shtigje të përshtatura për MTB – adrenalinë dhe natyrë në çdo metër; Shëngjergji – ajër i pastër, qetësi dhe peizazhe që nuk i ke parë dhe orare të përshtatshme për çdo aventurier,  nisjet nga Kinostudio: 7:00, 10:00, 14:00, 16:00 (17.00 gjatë muajit gusht).