Tarifat doganore të vendosura nga Donald Trump mbi partnerët e tij do të rëndojnë rëndë në rritjen amerikane dhe globale, paralajmëroi OECD gjatë një konference në Paris, ku po zhvillohen negociata tregtare midis amerikanëve dhe evropianëve.
“Mjedisi ekonomik global është bërë shumë më i vështirë”, pranoi Mathias Cormann, sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, gjatë një konference për shtyp në selinë e institucionit në Paris duke përmendur situatën e re tarifore.
“Si rezultat i politikës tregtare të SHBA-së, ne kemi rishikuar për poshtë rritjen e pothuajse çdo ekonomie në botë”, tha kryeekonomisti i organizatës, Alvaro Pereira, në një intervistë në prag të parashikimeve ekonomike të OECD-së.
Organizata, e cila bashkon 38 vende të zhvilluara, po mban një takim ministror në Paris.
Diskutimet midis përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së Jamieson Greer dhe komisionerit evropian të Tregtisë, Maros Sefcovic mbi tarifat janë planifikuar gjithashtu të zhvillohen në kuadër të këtij takimi.
“Ne duhet të arrijmë zgjidhje të negociuara sa më shpejt të jetë e mundur, sepse koha po mbaron”, tha ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche.
“Mundësia më e mirë është të ulemi, të bëjmë një marrëveshje dhe të gjithë do të ndihen më mirë”, theksoi Alvaro Pereira.