Banka e Shqipërisë parashikon për 6-mujorin e parë të këtij viti rritje të çmimit për pasuritë e paluajtshme dhe më shumë prona në shitje do të ketë Tirana dhe zonat bregdetare.

BSH-ja publikoi Vrojtimin e Tregut të Pasurive të Paluajtshme në vendin tonë, për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024, ku evidenton vlerësime më optimiste nga agjentët për situatën aktuale dhe pritshmëritë për të ardhmen, për tregun e pasurive të paluajtshme.

Sipas BSH-së, në 6-mujorin e dytë 2024 konstatohet një rritje e lehtë e subjekteve që kanë realizuar shitje të pasurive të paluajtshme.

Gjatë kësaj periudhe rreth 50% e pronave të shitura janë blerë me kredi bankare dhe shumica me mbulim deri në 60% të vlerës së pronës.

Ndërkohë që vazhdon interesi i shtuar i blerësve jorezidentë, veçanërisht nga vendet e BE-së.

Vrojtimi konstaton se, koha mesatare e shitjes ka rënë, sidomos në qarkun e Tiranës, teksa çmimet e banesave janë në rritje pothuajse në të gjitha zonat.