Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për realizimin e projektit të investimeve në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit.

Për këtë qëllim, Qeveria ka autorizuar Korporatën e Investimeve Shqiptare, e cila vetë, ose me nënkontraktorë, do të bëjë të mundur realizimin e projektit.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Korporata e Investimeve Shqiptare, me qëllim identifikimin e pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në zonën industriale të ish-Kombinatit Metalurgjik, Bashkia Elbasan, ngarkohet të ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet procedurale për konsolidimin e pronës shtetërore në këtë zonë.

Konkretisht: Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës koordinimin dhe bashkërendimin me institucionet shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të këtyre pronave, për dhënien dhe shkëmbimin e informacionit apo të dokumentacionit të kërkuar në lidhje me të drejtat e pronësisë, që është i nevojshëm për një pasqyrim të gjendjes së pronësisë, caktimin më të saktë të kufijve të zonës dhe përfundimin me prioritet të procesit të regjistrimit të pronës në regjistrat e pasurive të paluajtshme;

Në bashkëpunim me shoqëritë shtetërore në përdorim të të cilave janë pasuritë brenda zonës së parkut metalurgjik, përcaktimin e  statusit ligjor në librat e tyre kontabël;

Negociimin me subjektet private, të përfshira në marrëdhënien juridike të pronësisë për këto prona, në lidhje me sqarimin dhe qartësimin e statusit të pjesës përkatëse të pronës shtetërore në këtë zonë;

Të hartojë dhe të sigurojë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit një plan të detajuar qendror të zhvillimit të zonës, në të cilin ndodhet prona shtetërore.

Shpenzimet për realizimin e këtij plani të detajuar qendror mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare;

Të hartojë dhe të paraqesë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, një projekt zhvillimi të pronës shtetërore në këtë zonë. Shpenzimet për realizimin e këtij projektzhvillimi mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe/ose partnerët privatë.

Institucionet shtetërore të përfshira në çështjet e pronësisë apo administrimit të pronave, sipas parashikimit të këtij vendimi, të paraqesin informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, brenda 5 (pesë) ditëve nga momenti i administrimit të kërkesës së paraqitur me shkrim nga Korporata e Investimeve Shqiptare.

Korporata e Investimeve Shqiptare i paraqet raport të detajuar lidhur me përmbushjen e detyrave të përcaktuara, ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila, pas konfirmimit të përmbushjes së detyrave, merr në shqyrtim kërkesën e Korporatës së Investimeve Shqiptare, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar.

Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.