Banka e Shqipërisë bën të ditur se, gjatë periudhës janar-prill 2025 përmes sistemit AIPS-EURO janë realizuar 114.298 transaksione, me një vlerë totale prej 1,8 miliardë euro.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i transaksioneve është rritur me 21,7%, ndërsa vlera e pagesave të kryera ka shënuar rritje me 21,8%.

Referuar të dhënave, në muajin prilli regjistrohet niveli më i lartë i transaksioneve (në numër dhe vlerë) çka lidhet me fluksin e shtuar të turistëve që kanë ardhur në Shqipëri gjatë pranverës.

Sipas BSH-së, në prill u realizuan mbi 33 mijë pagesa me vlerë 536 milionë euro, ose 22,5% më shumë transaksioneve në numër dhe 18% më shumë në vlerë, krahasuar me prill 2024.

Zbatimi i sistemit AIPS-EURO ka siguruar kursime të konsiderueshme, për qytetarët dhe bizneset të cilat deri në fund të 2024, sipas BSH-së përllogariten në rreth 100 milionë euro. Por nga ana tjetër, rritja e numrit të transaksioneve në euro është një tregues pozitiv në formalizimin e ekonomisë.

Shtimi i fluksit të euros lidhet me zhvillimin e turizmit, rritjen e remitancave por edhe të investimeve, sidomos në blerjen e pasurive të paluajtshme.

Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën. AIPS mundëson kryerjen e pagesave të mëdha, të shpejta dhe të sigurta ndërmjet bankave, duke ndihmuar në mirëmbajtjen e operacioneve financiare në vend.

AIPS-EURO përdoret nga qeveria për të shlyer borxhin e jashtëm, nga bizneset e mëdha për të shlyer fatura në vlera shumë të larta dhe nga vetë bankat. Megjithatë, AIPS shpejton në mënyrë indirekte edhe transaksionet për qytetarët, veçanërisht për blerje të pronës, apo të një makine, ku transaksioni përfshin lëvizjen e parave midis bankës së blerësit dhe bankës së shitësit.

Në këtë rast, banka e blerësit përdor sistemin AIPS për të transferuar shpejt dhe sigurt fondet në bankën e shitësit.