Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) shënohen sot 1909 teste të akredituara, kundrejt 6 teste që ishin në 2013.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se avancimet teknologjike në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, janë realizuarr sipas standardeve të biosigurisë së BE-së, ashtu sikurse testet e akredituara garantojnë sigurinë dhe cilësinë ushqimore në tryezat e qytetarëve.

“Testet laboratorike te akredituara janë një pasaportë besimi për produktet shqiptare që shkojnë drejt BE-së”, tha Denaj.

Denaj shprehu angazhimin për të përmirësuar infrastrukturën laboratorike në laboratorët rajonalë dhe 6 qendra të marrjes së mostrave në Pikat e Inspektimit Kufitar.

Testet e akredituara janë indikatori i matjes së besueshmërisë lidhur me kontrollet mbi cilësinë e produkteve dhe nënprodukteve shqiptare ose atyre të importuara. Konkretisht këto teste të reja përfshijnë kontrollin e mbetjeve të pesticideve në produktet me origjinë bimore dhe shtazore.