Rreth 11,4 milionë lekë janë disbursuar deri tani për fermerët dhe bizneset agropërpunuese, nga skema e re e mbështetjes me grant për investime në sektorin e bujqësisë.
Sipas raportit të monitorimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024 ka përfunduar më 8 nëntor 2024, ndërsa afati i afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve u shty deri më 28 shkurt 2025.
Nga 400 aplikime, skema kombëtare e Investimeve në Bujqësi 2024, do të financojë 360 kërkesa të kualifikuara për subvencion, me një vlerë totale të kërkesës prej 1,2 miliardë lekë.
Fermerët kanë treguar një interes të shtuar aplikimesh në Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi.
Nga aplikimet e pranuara, interesi më i lartë ka qenë për investime në mekanikë bujqësore me 305 aplikime dhe për ndërtimin e stallave blegtorale dhe stabilimentet për rritjen e shpendëve me 49 aplikime.
Ndërkohë, numri i aplikimeve për masat që lidhen me serrat diellore dhe akuakulturën ka qenë më i kufizuar. Rajonet me kërkesën më të lartë për këtë skemë janë Fieri, Vlora dhe Korça, duke reflektuar interesin e fermerëve për mbështetje në këto zona me tradita bujqësore dhe blegtorale.
Për subjektet që kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm deri më 28 shkurt 2025, disbursimi i fondeve do të vijojë përgjatë vitit 2025.