Gjatë këtij viti bankat rritën kreditimin për financimin e sektorit privat, mbështetur edhe nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë, që ka mundësuar një mjedis stimulues financiar, përmes normës së interesit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje prej 16.7% në tremujorin e parë të vitit 2025.

Rritja e kredisë vijon të ketë një bazë të gjerë dhe diversifikim të lartë në përdorim, ku spikat rritja e shpejtë e kredisë për investime.

Në kredinë për sipërmarrjet kryeson kredia për pasuritë e paluajtshme, ndërtimin dhe sektorin e turizmit, ndërkohë që huadhënia po rritet kryesisht në monedhën vendase.

Banka Qendrore vëren se, paralelisht me rritjen e kreditimit, po ecën edhe përmirësimi i cilësisë së portofolit të kredisë, me raportin e kredive me probleme që ka rënë në minimumin e ri historik prej 4.02%, në muajin mars 2025.

BSH shprehet optimiste se trendet aktuale dhe faktorët mbështetës të kredisë sugjerojnë një ecuri të mirë të saj edhe në të ardhmen.