“Ngritja e “Pamping Sistem”, ose hidrocentrale me pompa magazinimi nga Statkraft është një mundësi investimi që synon të instalojë sistemin e parë të këtij lloji në vendin tonë, duke përdorur rezervuarin e hidrocentralit të Moglicë, që do të përthith prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët apo eleolitët, gjë që ndihmon në balancimin e prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike”, u shpreh Balluku.
Ajo vlerësoi se, ky investim ka të bëjë jo vetëm me investim kapitali në Shqipëri, por mbi të gjitha mbi zhvillimin që do të sjellë kjo teknologji që rrit prodhimin hidrik në Shqipëri, por kthehet në përthithës të energjisë që vjen nga parqet fotovoltaike, eleolite, duke mbyllur pasigurinë e tregut.
Shqipëria përmes këtij investimi do të jetë një nga vendet e para në botë që do të aplikojë Pamping Sistem, tha Balluku.
Ndërsa përfaqësuesja e Projektit Hidroenergjetik të Devollit u shpreh se tashmë ka mbaruar me sukses studimi i fizibilitetit të centralit me rezervë pompimi.
“Për këtë projekt është punuar prej dy vitesh, dhe synon të sjell një shtesë të energjisë nga burimet e rinovueshme eolike apo dhe fotovoltaike, për të cilat është e nevojshme që të zbatohen teknologji balancuese dhe ne, si Statkraft, kemi eksperiencë në menaxhimin e rezervave ujore. Duke parë pozicionimin shumë të favorshëm të rezervuarit të Moglicës dhe gjeologjinë, shohim se ajo na ofron kushte të favorshme për një rezervë pompimi. Për këtë projekt kemi punuar me ekspertë ndërkombëtarë dhe të OST-së dhe ky projekt në vetvete është një projekt rajonal, pasi do të përmbushë edhe nevojat për energji të vendeve në rajon dhe më gjerë”, tha ajo.