Për herë të parë në Shqipëri, në Qendrën Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi”, është realizuar me sukses një ndërhyrje e avancuar kirurgjikale: heqja endoskopike e lobit të poshtëm të mushkërinë së djathtë përmes teknikës Uniportal VATS (Video Assisted Thoracoscopic Surgery).

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Sipas saj, kjo teknikë minimalisht invazive, e përdorur gjerësisht në qendrat më të specializuara ndërkombëtare, sjell një standard të ri në kirurgjinë torakale shqiptare.

“Me një prerje vetëm 5 cm (kundrejt 15-20 cm në kirurgjinë tradicionale), ajo redukton ndjeshëm dhimbjen, shkurton kohën e qëndrimit në spital dhe përmirëson dukshëm cilësinë e rikuperimit për pacientin”, u shpreh Koçiu.

Ministrja shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve: Prof. As. Fatmir Caushi, Dr. Shk. Ilir Skënduli, Dr. Alban Hatibi, Dr. Eljana Shima, Dr. Fahri Kokiqi, Manushaqe Hoxha kryeinfermiere salle, dhe Mirjeta Almeta instrumentare.