Sipas një dokumenti të brendshëm të Departamentit Amerikan të Shtetit të siguruar nga CNN, administrata Trump po shqyrton mbylljen e afro 30 ambasadave dhe konsullatave jashtë shtetit, ndërsa planifikon ndryshime të rëndësishme në praninë e saj diplomatike jashtë vendit.

Dokumenti sugjeron reduktimin në misionet diplomatike të SHBA-së në Somali dhe Irak – dy vende që kanë qenë kyçe për përpjekjet e SHBA-së kundër terrorizmit – dhe “ridimensionimin” e posteve të tjera diplomatike.

Ndryshimet e propozuara vijnë mes një rishikimi më të gjerë të pritshëm të agjencisë diplomatike të SHBA-së pasi administrata Trump – e nxitur nga Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë i mbështetur nga Elon Musk – po bën përpjekje për të tkurrur qeverinë federale.

Është e paqartë nëse sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka nënshkruar për mbylljet e propozuara te ambasadave dhe konsullatave.

Dokumenti rekomandon mbylljen e 10 ambasadave dhe 17 konsullatave, në Evropë dhe Afrikë dhe gjithashtu në Azi dhe Karaibe.

Gjithashtu, përfshihen ambasadat në Maltë, Luksemburg, Lesoto, Republikën e Kongos, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Sudanin e Jugut.

Lista përfshin pesë konsullata në Francë, dy në Gjermani, dy në Bosnjë-Hercegovinë, një në Britaninë e Madhe, një në Afrikën e Jugut dhe një në Korenë e Jugut.

Dokumenti propozon që detyrat e ambasadave të mbyllura të mbulohen nga poste në vendet fqinje.

Administrata ka shpallur emërimet e ambasadorëve vetëm për dy nga ambasadat e rekomanduara për mbyllje – Maltën dhe Luksemburgun.

CNN raportoi në mars se Departamenti Amerikan i Shtetit po shqyrtonte mbylljen e disa konsullatave të listuara në dokumentin e brendshëm.