Jup Kastrati, personaliteti i shkencave albanologjike

0
1

Jup Kastrati, një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencave albanologjike.

Ai lindi në qytetin e Shkodrës më 15 prill të vitit 1924 dhe u nda nga jeta më 22 shtator të vitit 2003. Në 60 vjet punë, la pas rreth 40 vepra shkencore; 1000 artikuj e studime, që zënë rreth 20 mijë faqe të botuara në periodikët publicistikë dhe shkencorë; 5 mijë faqe epistolar, me shkrimtarë e dijetarë vendas e të huaj dhe gjashtë vepra të tjera që pritet të botohen së shpejti.

Kontributi i tij është i shumëfishtë, në disa prej fushave më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë, gjuhësia, analiza kritike letrare dhe përkthimi.

Prof. Jup Kastratit i takon merita edhe për studimin shterues të jetës e veprës së Jeronim De Radës, por edhe për studimin e përthelluar të letërsisë arbëreshe në përgjithësi.

Prof. Jup Kastrati është është një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (2 shtator 1957), dhe ka luftuar shumë për krijimin e Universitetit të Shkodrës. Është nderuar me medalje, urdhra e tituj të ndryshëm, ndër të cilët: “Mësues i Popullit” (1987), “Mjeshtër i Madh i Punës” (15 prill 1999), si dhe “Qytetar Nderi i Shkodrës” (2002).

Emri i tij është përfshirë në “Mendjet e ndritura të shekullit XXI” nga Instituti Amerikan i Biografisë.