Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Arabia Saudite do të nënshkruajnë një marrëveshje paraprake për të bashkëpunuar mbi ambiciet e mbretërisë për të zhvilluar një industri bërthamore civile, u tha sot gazetarëve në kryeqytetin saudit, Riad sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, sipas “Reuters”.

Wright, i cili zhvilloi një takim me ministrin saudit të Energjisë, Princin Abdulaziz bin Salman sot në mëngjes, tha se Riadi dhe Uashingtoni ishin në “rrugën” për të arritur një marrëveshje për të punuar së bashku – për të zhvilluar një program bërthamor civil saudit.

Wright, në vizitën e tij të parë në mbretëri si sekretar – si pjesë e turneut në shtetet e Gjirit – tha se detaje të mëtejshme mbi një memorandum që detajonte bashkëpunimin energjetik midis Riadit dhe Uashingtonit do të njoftoheshin këtë vit.

E ashtuquajtura “marrëveshja 123” SHBA-Arabi Saudite i referohet seksionit 123 të Aktit të Energjisë Atomike të SHBA-së të vitit 1954 – përmes së cilës qeverisë amerikane dhe kompanive amerikane u lejohet të punojnë me entitete në mbretëri për të zhvilluar një industri civile bërthamore.

Princi i kurorës saudit, Mohammed bin Salman ka thënë prej kohësh se nëse Irani do të zhvillonte armë bërthamore, Arabia Saudite do të ndiqte shembullin, një qëndrim që ka nxitur shqetësim të thellë midis avokatëve të kontrollit të armëve dhe disa ligjvënësve amerikanë – mbi një marrëveshje të mundshme bërthamore civile SHBA-Arabi Saudite.

Wright nuk përmendi një marrëveshje më të gjerë me mbretërinë, të cilën administrata e mëparshme e presidentit amerikan, Joe Biden e kishte kërkuar – e cila  përfshinte një marrëveshje bërthamore civile dhe garanci sigurie me shpresën se do të çonte në normalizimin e marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.

Arabia Saudite, eksportuesja më e madhe në botë e naftës, po kërkon të gjenerojë energji të konsiderueshme të rinovueshme dhe të reduktojë emetimet, sipas planit të reformës së Vizionit 2030 të princit të kurorës.

Të paktën një pjesë e kësaj pritet të vijë nga energjia bërthamore