Parku natyror Mali me Gropa – Bizë – Martanesh shtrihet në një sipërfaqe të madhe, për më tepër e bashkëngjitur me sipërfaqen e PK Mali i Dajtit dhe pranë Qafë Shtamës.

Përfaqëson një masiv të madh malor, i cili përbëhet nga gëlqerorë të Trias-Jurasit, me trashësi shumë të madhe (mbi 1 000 m) dhe tepër të copëtuar nga tektonika, flishi me shtrirje të kufizuar dhe magmatikë të llojit ultrabazik në lindje.

Ky park ndërpritet nga disa lugina, të pasura me përrenj, që shpesh përbëjnë fillesën e lumenjve të mëdhenj, siç ёshtё rasti i Lumit të Matit. Bien në sy disa male interesante si: Mali i Lopës (2 000 m), i Snoit të Madh (1 846 m), si dhe i Malit me Gropa (mesatarisht 1 500-1 600m), krejt i veçantë, falë gropave karstike të pranishme në të.

Në të vërtetë zona ofron vlera natyrore, kulturore dhe historike. Në këtë rajon shtrihet krahina etnogjeografike e Shëngjergjit ose Tomadheja, që, së bashku me Bendën, përbën Malësinë e Tiranës. Qendër e saj është fshati Shëngjergj, me histori shumë interesante dhe të hershme. Ai dëshmohet si vendbanim mesjetar në qendër të zonës malore të mbrojtur nga male të larta, por që lidhet me rrugë të rëndësishme me Tiranën, Krujën, Matin, Dibrën dhe Elbasanin.