Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera neto e aseteve të tregut, arriti rreth 61.36 miliardë lekë, duke shënuar rritje prej 11,075 milionë lekë ose 22.02%, krahasuar me 31 dhjetor 2023.

Vlera e aseteve neto për fondet e investimit, me pjesëmarrje të hapur me ofertë publike arriti vlerën 55 miliardë lekë, me një rritje prej 21.83% krahasuar me 2023.

Investimet në këtë treg u dominuan kryesisht nga investimet në tituj qeveritarë (bono thesari dhe obligacione), të cilat përbëjnë 79.24% dhe ndërkohë 6.2% janë investime në tregjet financiare ndërkombëtare.

Rritje të konsiderueshme shënoi edhe numri i anëtarëve.

Sipas AMF-së, numri i investitorëve që kanë investuar në këtë treg gjatë vitit 2024 është 37,786, me një rritje prej 17.39% krahasuar me 2023-shin.

Në tregun e sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK), operuan 6 shoqëri administruese të licencuara nga AMF nga të cilat 4 janë me kapital vendas dhe 2 janë me kapital te huaj.

Numri i fondeve të investimit më 31.12.2024 arriti në 18, nga të cilat 4 janë fonde investimi alternative.