Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un bëri thirrje për ndërtimin e një ushtrie të fortë dhe moderne për të përballuar çdo luftë – gjatë një vizite në një akademi ushtarake, tha sot media shtetërore KCNA, sipas “Reuters”.

Vizita e Kim në Akademinë Ushtarake “Kang Kon” vjen pasi Koreja e Veriut ka dërguar mijëra trupa në Rusi për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.

Këtë javë, Kim vizitoi gjithashtu Universitetin e Politikës “Kim Il Sung”, një tjetër institucion trajnimi i kuadrove elitare, duke bërë thirrje për besnikëri dhe sakrificë ushtarake.

Agjencia e shërbimeve sekrete të Koresë së Jugut tha se inspektimet e mëparshme të Kim në njësitë ushtarake dhe të trajnimeve mund të jenë pjesë e përgatitjeve për një dërgim shtesë të ushtarëve në Rusi.

“Gjatë vizitës së fundit në akademinë ushtarake, Kim kritikoi menaxhimin e dobët të shkollës dhe funksionimin e objekteve arsimore – duke thënë se ajo nuk kishte arritur të përmbushte ndjekjen e partisë në pushtet për “modernitet dhe cilësi të avancuara” në ndërtimin e një ushtrie të fuqishme”, tha KCNA.

“Ai parashtroi detyra për të rinovuar objektet dhe për të intensifikuar arsimin duke u fokusuar në praktikë, në mënyrë që studentët të mësonin rreth “përvojave aktuale të luftës moderne” dhe të zotëronin armët dhe pajisjet teknike të avancuara”, tha KCNA.

“Situata e tanishme ndërkombëtare, në të cilën natyra agresive dhe luftarake e imperialistëve shprehet më hapur në histori dhe lufta dhe gjakderdhja bëhen të zakonshme, kërkon që forcat e armatosura … të përballen në mënyrë të përkryer me një luftë”, tha Kim.

Zyrtarët e Koresë së Jugut kanë paralajmëruar se Koreja e Veriut mund të furnizojë me armë dhe dislokojë trupa për të luftuar në Rusi duke fituar përvojë dhe njohuri nga operimi në një fushë beteje moderne.