Burimet alternative të energjisë nga panelet diellore dhe centralet fotovoltaike lundruese janë një rrugë e re për të krijuar siguri dhe rezerva energjetike. Interesi për instalimin e impianteve fotovoltaike për vetëprodhim apo qëllime tregtimi të energjisë mbetet i lartë edhe këtë vit.

Pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë paraqitur së fundmi interes katër shoqëri për ndërtimin e impianteve fotovoltaike me kapacitet total të instaluar 235 MW.

Shoqëria GREENSOL sh.p.k ka shprehur interes dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 49,96 MW, me vendndodhje në Bistricë, Bashkia Finiq, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Shoqëria AGRO ILIRIA GROUP sh.p.k ka paraqitur aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 45 MW, me vendndodhje në njësinë administrative Remas, bashkia Divjakë, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Shoqëria EURON SOLAR-PV sh.p.k ka paraqitur aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 100 MW, me vendndodhje në fshatrat Fushë dhe Povelçë, bashkia Fier, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Shoqëria “ROZAFA” sh.p.k ka paraqitur aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 40 MW, me vendndodhje pranë fshatit Shmil, Elbasan, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse.

Falë rritjes së investimeve në energji vitin që lamë pas pati rritje me 15,3% të kapacitetit prodhues të vendit dhe një rritje me pesëfish të prodhimit të gjelbër nga fotovoltaikët, kryesisht nga vendosja në eficiencë e impiantit fotovoltaik të Karavastasë.