Vendet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania jane integruar plotësisht në rrjetin energjetik evropian – pas shkëputjes së tyre nga sistemi energjetik i Rusisë.

Tre vendet e BE-së – të gjitha anëtare të NATO-s – u lidhën me Poloninë dhe rrjetin e Evropës Kontinentale nëpërmjet linjës së energjisë “LitPol Link”, duke u bashkuar me rrjetin sinkron më të madh në botë që u shërben më shumë se 400 milionë konsumatorëve në 26 vende.

Sipas operatorëve në Estoni, Letoni dhe Lituani, ndërlidhja e rrjeteve përfundoi pas orës 14:00.

Tre ish-republikat sovjetike kishin ndalur tashmë importet e tyre të energjisë elektrike nga Rusia – si një reagim ndaj pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, ata ishin ende pjesë e një rrjeti të përbashkët, sinkron të energjisë me Rusinë dhe Bjellorusinë që daton që nga epoka sovjetike – i cili u konsiderua një rrezik i vazhdueshëm sigurie në Talin, Rigë dhe Vilnius.

Pas ndryshimit të rrjetit, shtetet baltike do të jenë në gjendje të kontrollojnë parametrat bazë të sistemit të energjisë elektrike, si frekuenca dhe tensioni, të cilat më parë rregulloheshin nga Moska.

Lituania ishte vendi i parë që u shkëput dje nga rrjeti i përbashkët me Rusinë dhe Bjellorusinë, e ndjekur nga Letonia dhe Estonia.

Rrjetet e tyre më pas funksionuan vetëm për një ditë në mënyrë të izoluar për disa teste operacionale përpara se të bashkoheshin me sistemin evropian.

Estonia, Letonia dhe Lituania u aneksuan nga Bashkimi Sovjetik në 1940 dhe rifituan pavarësinë e tyre vetëm në 1991.

Tre fqinjët filluan përgatitjet për lidhjen me sistemin energjetik evropian në vitin 2009. Plani fillestar parashikonte sinkronizimin në fillim të vitit 2026.

Megjithatë, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022 e përshpejtoi projektin, i cili u financua kryesisht nga BE-ja.

Kostot për ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme arritën në rreth 1,6 miliardë euro (1,65 miliardë dollarë).

Ukraina – si ish-fqinji i saj sovjetik Moldavia – ishte shkëputur tashmë nga rrjeti elektrik rus menjëherë pas fillimit të luftës dhe ishte lidhur me sistemin evropian