Edhe pse dita ka nisur me reshje shiu, duket se java në vazhdim nuk do na sjellë të njëjtën panoramë të motit. Në një lidhje direkte për Klan News, sinoptikanja Lajda Porja nga “MeteoAlb” thotë se duke filluar nga dita e nesërme dhe të paktën deri të premten pritet të kemi kthjellime pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Lajda Porja: Tashmë kemi ndërprerje të reshjeve të shiut, pritet të kemi përmirësim të dukshëm të situatës së reshjeve edhe në vijim. Nesër do të ketë reshje shumë të pakëta vetëm në skajin jugor dhe më pas duke filluar nga dita e nesërme në mesditë dhe deri të paktën të premten do të kemi mot kryesisht të thatë dhe pa reshje. Dielli do të jetë prezent pothuajse në të gjithë Ultësirën Perëndimore dhe në bregdet. Vranësira të shpeshta në zonat malore, megjithatë edhe në zonat malore nuk do të ketë reshje. Ditët në vazhdim do të sjellë rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që në disa zona të thella malore, termometri të zbresë deri në vlerën minus 8 gradë Celsius. Lajda Porja: Përsa i përket temperaturave të ajrit, sot minus 1 shënon Peshkopia dhe maksimalet do të ngjiten në 15 apo në 16 gradë. Le të themi që janë temperatura tipike të Shkurtit. Duke filluar nga nesër do të kemi çdo ditë nga dita në ditë rënie të lehtë dhe graduale të temperaturave. Përgjatë kësaj mase të thatë të kemi temperatura të ulëta. Pritet që nesër të kemi 2 gradë rënie në mëngjes, rënie që do të vijojë edhe ditën e mërkurë dhe ditën e enjte. Parashikohet që përgjatë kësaj mase të thatë dhe të ftohtë, të kemi temperatura të ulëta deri në minus 4 apo minus 5 gradë në zona dhe në qytete të banuara. Parashikohet që në skajin verior-verilindor në zona të thella malore, në fshatra, termometri të zbresë në minus 7 apo minus 8 gradë Celsius. Ndërkohë, maksimalet do të kenë sërish rënie. Një rënie e lehtë është ditën e martë. Nga e mërkura dhe deri të premten do të kemi temperatura që do të jenë jo më të larta se 12 apo 13 gradë. Na pret një javë relativisht e ftohtë, por një javë e thatë dhe pa reshje për territorin shqiptar.