Mot i paqëndrueshëm me vranësira dhe herë pas herë të shoqëruara me reshje të dobëta shiu. Kështu e parashikojnë fundjavën sinoptikanët. “Orët e para të mëngjesit dhe mesdita të jenë në dominimin e intervaleve të gjata me diell në qytetet e zonës së ulët dhe në vijën bregdetare, ndërsa në zonat malore do të kemi kalime të lehta të vranësirave. Është pjesa e dytë e ditës ajo e cila do ti bëjë vranësirat më të dukshme në territorin shqiptar duke bërë që kryesisht të fokusuara të jenë në gjysmën lindore të vendit. Përsa i përket ditës së dielë do të kemi vranësira të shpeshta që në orët e para të mëngjesit, po pjesa e dytë e ditës do ti bëjë më të dukshme në territorin shqiptar duke bërë që të kemi momente të cilat vranësirat të jenë mjaft të dendura, gjithashtu të kemi rritje të lagështirës, me aq sa mund të bëj që të ketë mundësi për reshje shiu, kryesisht duke filluar në orën e pasdites dhe në vijim”, tha Hakil Osmani. Temperaturat e ajrit ditën e shtunë do të pësojnë ulje. “Dita e shtunë do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave të ajrit në orët e para të mëngjesit duke bërë që minimumet të zbresin rreth vlerës -1 gradë Celcius në qytetet e zonës malore, ndërsa maksimumet mbeten rreth vlerës 15 gradë Celcius. Është dita e dielë e cila sjell një tjetër rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që minimumet të jenë rreth vlerës -2 gradë Celcius dhe maksimumet të jenë në vlerën 14 gradë Celcius, duke bërë që të jemi në temperatura pothuasje tipike përsa i përket muajit Shkurt dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së hënë të kemi dhe rishfaqje të reshjeve të dëborës në zonat malore ku më të dukshme priten të jenë në zonat verilindore”, tha Osmani. Java e parë e muajt Shkurt do të jetë një jave tipike dimri me temperatura që zbresin nën zero dhe në zonat malore rikthehen reshjet e borës. Klan News